Ka një vizion të qartë për të ardhmen. Mban mbi supe dy detyra të rëndësishme edhe pse në moshë të re.

Deklaron se mbështet plotësisht kryeministrin e vendit dhe i pëlqen të jetë aktiv në çështjet sociale.

Pretendenti për fronin mbretëror, princi Leka i Dytë rrëfen për ne se si përballet me përgjegjësitë e tij si këshilltar i Ministrit të Jashtëm, zotit Lulzim Basha, dhe me detyrat që lidhen me statusin e tij të veçantë, atë të princit.

Princi Leka: “Në këtë aspekt unë kam fatin që edhe mirëkuptimin e ministrit të punëve të jashtme ndonjëherë është vështirë të gjej, dmth, në aspektet sidomos lëvizjet në trojet tona si në Maqedoni dhe në Kosovë, por kam faktin që edhe aktivitetet e mia janë, shumica janë lidhur me probleme shëndetësore, problemet e shëndetësisë edhe problemet sociale. Do të thotë që kam hapësirën, mundësinë të punoj drejtpërdrejt me popullin, çdo fundjavë të jemi jashtë Tiranës në një fshat në një zonë tjetër duke folur drejtpërdrejt për nevojat dhe duke ndihmuar, njëkohësisht”.

Por a do të marrë formë angazhimi i tij në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të Qershorit? A do të jetë ai pjesë aktive e jetës politike shqiptare?

Princi Leka: “Në qoftë se e keni fjalën që unë të marrë pjesë në parlamentet në zgjedhjet unë ju siguroj që në këtë moment nuk e bëj asnjë vendim, asnjë, por shpresoj se do kem mundësi që nesër pasnesër në të ardhmen të kem mundësi të punoj drejtpërdrejt me popullin shqiptar, të jem aktiv dhe për mua nuk ka rëndësi posti ose ranket që të kem. Unë besoj se familja mbretërore ka një fat. Ne kemi një status brenda për brenda parlamentit të shtetit shqiptar, një ligj të veçantë për familjen mbretërore edhe jemi të përfshirë në protokollin e shtetit. Kjo do të thotë që ne kemi fatin e mirëfilltë që ne të jemi aktivë. Nuk besoj se është momenti që ne të fillojmë të krijojmë, dmth, përplasjet. Unë i kam thënë edhe kryeministrit që jam krejtësisht në mbështetjen e tij edhe do një pyetësor që është gati për t’u punuar e për të luftuar për të drejtat e shqiptarëve”.

Edhe pse nuk mendon të kandidojë për deputet në zgjedhjet e Qershorit princi Leka uron që ato të jenë paqësore.

Princi Leka: “Unë vetëm shpresoj që ne do të kemi zgjedhje që janë paqësore që respekti e të të drejtëve e votuesit do të jetë më të lartë që ne të jemi shembull për rajonin tonë.”

Princi Leka mban postin e këshilltarit për politikën e jashtme të ministrit Lulzim Basha që prej muajit Gusht të vitit 2007./tvklan.al

Gazetare: Daniela Kostandini