Ministri i Financave Ridvan Bode ka hedhur poshtë akuzat e opozitës të artikuluara ditët e fundit sipas të cilave implikojnë qeverinë shqiptare në projektin e menaxhimit të bregdetit të Jalës.

Gjatë seancës plenare në Kuvend, Bode akuzoi opozitën e majtë, se po abuzon me raportin e panelit të inspektimit të Bankës Botërore.

Ridvan Bode: “Ka dokumente të plota që prishja e ndërtimeve pa leje edhe në këtë pjesë të bregdetit që mbulohet me një projekt të Bankës Botërore është bërë më dakordësi dhe me kërkesën e autoriteteve të bankës. E dyta akuza për njolla të vendosura të influencuara nga interesa korruptive. Kjo akuzë që përmendet në raport nuk ka të bëjë me projektin që ka qeveria tani. Ka qenë projekti i qeverisë së mëparshme.”

Bode ndërsa përjashtoi ekzekutivin nga problemi me projektin, duke iu drejtuar opozitës i kujtoi kësaj të fundit nismën e ndërmarrë në 2004 përpara autoritetit të Bankës Botërore, që parashikonte prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet.

Ridvan Bode: “Në vitin 2004 qeveria juaj i ka konfirmuar bankës se do të përfundojë shpejt prishja e ndërtimeve pa leje.”

Këto deklarata të ministrit të financave vijnë pas kërkesës që opozita i ka bërë për të hetuar qeverinë për shpërdorim fondesh në projektin e menaxhimit të Bankës Botërore për bregdetin e jugut.

Gerti Bogdani: “Nën dirigjimin e Edi Ramës mediat e orkestruara prej tij  përkatësisht Shekulli, Albania, Tema, Gazeta Shqiptare etj, vijojnë të shpifin lidhur me hetimin e brendshëm të Bankës Botërore. Për informacion të atyre që bëjnë sikur nuk shohin, sikur nuk dëgjojnë dhe sikur nuk kuptojnë, Banka Botërore po heton  menaxhmentin e saj, që është stafi i brendshëm i Bankës Botërore dhe politikat që kjo ka ndjekur në implementimin e projektit për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare. Menaxhmenti i bankës është stafi i bankës dhe jo njësitë e implementimit pranë qeverisë shqiptare, ashtu siç përpiqen të trillojnë këta orkestragjinjë. Qeveria e Shqipërisë ka kërkuar gjithashtu që të hetohet roli i matjes së ndërtimit që boton gazeta dhe lajme në gazeta nën dirigjimin dhe menaxhimin e Edi Ramës. Në stisjen e disa  fjalime të rreme në raportin e bankës Botërore në lidhur me këtë projekt.”/tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro