Qeveria pritet të marrë në shqyrtim në ditët e ardhshme projektligjin e legalizimit të zonave informale. Sipas këtij projektligji do të ligjërohen ndërtimet e paligjshme në një hapësirë deri në 10 000 m2 ku kryesisht ndërtimet kanë funksion banimi. Ndërtesat që do të legalizohen, sipas projektligjit, do të kenë një sipërfaqe maksimale deri në 300 m2 ndërkohë që për hapësira më të mëdha tarifat do të pësojnë rritje. Pronarët e zonave informale duhet të deklarojnë ndërtimet pa leje, sepse në të kundërt humbasin të drejtën për të përfituar nga ky projektligj. Zonat informale do të miratohen si të tilla nga Këshilli i Rrgullimit të Republikës. Pushteti lokal do të kryejë verifikimet dhe do të adoptojë plane urbanistike të reja. Nga ky projektligj pritet të përfitojnë zona e Bathores, Kodra e Priftit, Shkoza, Linza, Farka e Madhe, Farka e Vogël, Petrela e zona të tjera. Pasi të kalojë në qeveri dhe në parlament ligji pritet të shoqërohet dhe nga akte të tjera nënligjore që pritet të përcaktojnë detajet dhe tarifat gjë që do të thotë se procesi i legalizimeve mund të zgjasë deri në disa vite. Një ndër pikat më të kontestuara dhe të vështira të ligjit është çështja e pronësisë së tokës të zonave që pritet të legalizohen. /tvklan.al