Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Dosja Hajdari dorëzohet në Gjykatën e Tiranës. 30 muaj hetim nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, ku një grup i veçantë hetuesish, i ndihmuar dhe nga prokurorë të huaj, kanë mbushur mijëra faqe të superdosjes, ku tashmë nuk mungojnë dhe të arrestuarit. Vetë kryeprokurori Rakipi ka pohuar lajmin, se tashmë dosja Hajdari është dorëzuar përfundimisht në gjykatë.

Prokurori kryesor që hetoi këtë dosje, Haxhi Giu, si gjithnjë i shoqëruar nga badigardët e tij, e ka dorëzuar personalisht dosjen në gjykatë. Tashmë do të jetë shorti që do të hidhet për të caktuar trupin gjykues. Gjyqi që do të nis së shpejti në Gjykatën e Tiranës, do të hedhë dritë mbi autorët e vrasjes dhe detaje të tjera të ngjarjes së rëndë.

Kryeprokurori Rakipi është shprehur se puna hetimore për zbardhjen e krimit, ka ndodhur që 10 minuta pas ngjarjes dhe deri më sot. Me nisjen e procesit gjyqësor, një ndër ngjarjet më të rënda të viteve të fundit, vrasja e deputetit Hajdari dhe badigardit të tij Çerja, pritet që të zbardhet përfundimisht, duke mbushur me përgjigje atë krim të rëndë, që trazoi jetën politike dhe shoqërore të vendit./tvklan.al

Gazetar – Eduard Frangaj