Lajme Arkiva – TV Klan 2003

3 administratorë të firmës rentierë VEFA po ndiqen penalisht nga Prokuroria e rrethit të Tiranës. Burime nga kjo prokurori bënë të ditur se dosja penale u regjistrua pas prishjes së vendimit, pak kohë më parë për fillimin e një çështjeje të tillë.

Akuza është shpërdorim detyre, pasi sipas prokurorisë, të pandehurit në rolin e administratorëve, kanë shitur një sipërfaqe toke, pronë e ish-firmës rentiere VEFA, prej rreth 5 mijë metrash katrorë, në afërsi të kanalit të Çukës në qytetin e Sarandës. Vlera me të cilën është shitur sipërfaqja e tokës është 35 milion lekë të vjetra.

Burimet e grupit hetimor bënë të ditur, se vlera me të cilën është shitur trualli është rreth 5 herë më e vogël nga vlera e përcaktuar me vendim qeverie, për sipërfaqet e tokës që ndodhen në zonat turistike. Vlera minimale e tyre do të ishte 150 milion lekë. Dëmi ekonomik i shkaktuar shtetit sipas organit të akuzës, kap shifrën e 115 milion lekëve të vjetra./tvklan.al