Lajme Arkiva – TV Klan 2004

U është hapur front pune të gjithë romëve që jetojnë buzë Lanës, pas ndërhyrjes që policia ndërtimore i ka bërë kompleksit Bruno. Ka katër ditë që fadromat janë vendosur në këtë segment për të realizuar investimin e lënë përgjysmë për zgjerimin e Lanës, por pas një goditje anësore, puna është lënë, pasi të afërmit janë mbyllur në ndërtesë.

Familjarë të këtij biznesi kanë vendosur të mos dalin prej këtej pa marrë dëmshpërblimin nga shteti. Ndërtesa katërkatëshe që tregtonte materiale elektroshtëpiake, ka shërbyer edhe si banesë për familjen Musha. Pronari i saj pretendon se është trualli i tij i blerë nga i zoti i tokës, e biznesi i tij kushton mbi 1 milion e 700 dollarë.

Agim Musha:- “Ja kam blerë fisit Llagami, jam pronar i ligjshëm i objekteve, kam ndërtuar me një kredi të marrë nga shteti gjerman. Kam fituar gjyqin në shkallë të parë me bashkinë, kam fituar gjyqin në shkallë të Apelit dhe kam marrë formën e prerë që unë jam pronar i ligjshëm i këtyre pronave. Tani unë i kërkoja shtetit të më kompensonte pastaj të prisheshin objektet e mia, ndërsa mua akoma nuk më kanë dhënë një letër në dorë që do ta prishim. Nuk kam asnjë urdhër prishje, çdo gjë bëhet në mënyrë të kundraligjshme. Është krejt normale që objektet e mija do prisheshin, se qyteti i Tiranës do zhvillohet, por unë të marrë atë që më takon. Dëmshpërblimi është 1 milion e 700 mijë dollarë, por unë e di që nuk i marrë ato lekë, por të paktën të më japin tokën që kam blerë”.

Megjithëse vetë kanë hequr plaçkat kryesore e po shesin mallin, i qëndrojnë idesë, se dëmshpërblimi bëhet para prishjes, ndërsa policia ndërtimore i ka lënë afat deri të hënën pasdite për të bërë likuidimet./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti