Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Banorët e 181 shtëpive të banimit në zonën informale që shtrihet tek ish-peshkimi në qytetin e Sarandës kanë protestuar përpara bashkisë pasi janë njoftuar me anë të një shkrese nga ana e policisë ndërtimore e Vlorës për prishjen e banesave të tyre. Policia ndërtimore dha urdhër për shembjen e këtyre banesave pasi janë konsideruar si të paligjshme dhe që dëmtojnë urbanistikën e qytetit, duke i dhënë banorëve 5 ditë afat.

Qytetari: “Jemi shqiptarë dhe do gëzojmë shtëpitë tona. Këto t’i vjedh kryeministri dhe çdo institucion shtetërore, këdo që të marrësh në intervistë, çdo shtëpi do mbrohet me gjak.”

Qytetarja: “Jam 14 vjet që jemi atje, jemi sarandjotë të vjetër, burri im është sarandjot i vjetër, nuk ka asnjë copë shtëpi. Një vend shtëpie kërkojë, nuk kërkojë as dyqan, as lokal, as një gjë, dua vetëm vendin e shtëpisë, të më legalizohet shtëpia.”

Kryetari i bashkisë së Sarandës Edmond Gjoka e ka ngritur këtë problem dhe në këshillin bashkiak dhe ka vendosur t’i drejtohet policisë ndërtimore deri dhe instancave më të larta, që të pezullojnë vendimin. Sipas tij në këtë zonë ka filluar studimi urbanistik dhe pritet miratimi i ligjit të legalizimeve.

Edmond Gjoka: “Ata njerëz kanë që nga 91 që kanë ardhur, pse nuk është marrë një iniciativë për t’i rregulluar këta njerëz. Unë nuk e di si mund të zgjidhet, po unë kot të prish një ndërtim, unë nuk e bëjë. Unë prish ato ndërtime që kam dërguar, që janë me firmën time të gjitha, që i kamë dënuar që në gjendje pa i dëmtuar qytetarët, që s’kanë asnjë dokument, i kam thënë, stop zotëri i nderuar mos harxho pare, se do vijë shteti do të zbatojë ligjin.”/tvklan.al