Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Të përndjekurit nuk pranojnë pagesën qesharake që qeveria me buxhetin e saj ka vendosur të mbulojë dëmshpërblimin e tyre. I kanë kaluar 40 protestat me këtë shqetësim dhe lëvizja më e fundit mes grupeve të punës të ngritura, ngjan sipas tyre një ndihme sociale. 10 mijë lekë të vjetra në ditë për ta është shumë pak. Thirrjet e tyre janë dëgjuar përpara kryeministrisë dhe OSBE-së, ku është ndaluar për disa minuta.

I përndjekuri:- “Qeveria me paturpësinë më të madhe, që duhet t’i vijë rëndë Fatos Nanos dhe Ministrit të Shtetit Blendi Klosit, që bënë fatura të pacipa me 600 milion lekë, sikur ne jemi lypsarë të këtij kombi dhe jo se jemi ajka dhe ndershmëria e këtij kombi. Ne kërkojmë, në qoftë se Fatos Nano, vodhi dhe mori për ditë pune 56 mijë lekë, ne i kërkojmë 34 mijë lekë për ditën e punës dhe 50 mijë lekë për hetuesinë. Ne do të përleshemi me ta deri në vdekje, o të marrim paratë, ose ne nuk ndahemi”.

Uran Butka:- “Presidenti i Republikës, në një takim me përfaqësinë tonë dhe me qeverinë tha, se ky problem do të zgjidhej në Shkurtin e vitit të kaluar, po vjen përsëri Shkurti, po mbushet një vit dhe ky problem nevralgjik për shqiptarët nuk po gjen zgjidhje. Unë mendoj, që Presidenti i Republikës ka dështuar, ashtu siç ka dështuar dhe qeveria dhe duhet të japë dorëheqjen”.

Të përndjekurit mendojnë se fondi i kërkuar prej tyre për dëmshpërblimin mund të likuidohet për 6 vjet./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti