Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ndihemi të persekutuar nga qeveria, pasi rinia shkodrane nuk ka votuar për kandidatin e majtë. Këto janë akuzat e studentëve të universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, të cilët protestuan sot ndaj mungesës së energjisë elektrike në qytet.

Protestuesi 1:- “Kemi menduar që të bëjmë sot një protestë paqësore në veçanti larg forcave të tjera dhe grupimeve të tjera. Unë mendoj që populli i Shkodrës sot po persekutohet në mënyrë të vazhdueshme vetëm sepse ai votoi për qytetarinë dhe ne e ndjejmë veten të persekutuar nga qeveria aktuale, për arsye se nuk votuam për kandidatin e majtë”.

Protestuesi 2:- “Mungesa e energjisë elektrike ka sjellë anomali në procesin mësimor duke filluar që nga bllokimi i të gjitha laboratorëve në Universitetin e Shkodrës, e deri tek qendrat e internetit”.

Studentët shprehen se protesta e tyre paqësore do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Ajo do të ketë forma të ndryshme, që nga ndërprerja e mësimit e deri në ardhjen e tyre përpara godinës së parlamentit në Tiranë./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini