Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazetarja:- Pasi kanë protestuar para bashkisë së Kamzës, banorët e Bathores kanë gjetur mënyrën më ekstreme, bllokimin e rrugës nacionale në drejtim të veriut shqiptar, për të sensibilizuar qeverinë shqiptare për kërkesat e tyre ekonomike.

Banorët e katër lagjeve të Bathores, të cilët prej dy javësh i janë drejtuar qeverisë t’i mbështesë në kërkesat e tyre ekonomike, kanë kapërcyer pragun e protestës paqësore. Me pankarta dhe thirrjen për plotësimin e të gjitha kërkesave jetësore që ata kanë për zonën në të cilën banojnë, prindër dhe fëmijë kanë kërcënuar se protesta e tyre do të zhvendoset edhe në qendër të kryeqytetit.

Para dyerve të bashkisë së Kamzës nga e cila varen, banorët kanë bërë thirrje për legalizimin e banesave, si dhe për investimin në infrastrukturë. Për më shumë se 40 minuta, trafiku i automjeteve të bllokuara në rrugën nacionale është rënduar. Në mjaft raste kanë ndërhyrë edhe forcat e policisë së komisariatit numër 4 të kryeqytetit, të cilët kanë mbikëqyrur protestën e banorëve, por as ndërhyrja e tyre nuk ka mundur t’i shpërndaj ata.

Familjarët kanë kërcënuar se çdo ditë do të bllokojnë rrugën nacionale derisa autoritetet qeveritare të ulen në bisedime me ta./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja