Koalicioni antikorrupsion nuk do të ndalë protestat deri në anulimin e vendimit për importinin e plehrave. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Këshilli Rinor kanë lajmëruar vazhdimin e daljeve në shesh për të mos lejuar mbetjet e huaja. Në sheshin e Portit të Durrësit mbrëmjen e së martës nga qytetarët pritet të kërkohet moskthimi i Shqipërisë në vendin përpunues të plehrave të huaja.

Kreshnik Spahiu: “Kemi mbështetjen e gjithe organizatave joqeveritare, kemi mbështetjen e komunitetit të medias, kemi mbështetjen e sindikatave në rang vendi, kemi mbështetjen e gjithë enteve joqeveritare madje po rrisim dhe rrjetin në lidhje me një mbështetje më të gjerë e cila do të bëjë të mundur pa dyshim rritjen e presionit ndaj qeverisë e cila kemi shumë shpresë që do të tërhiqet nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje.”

“Ritheksojmë se koalicioni shqiptar kundër korrupsionit ripërsërit qëndrimin e tij se kërkon transparencë, respektim të ligjit shqiptar dhe respektim të konventave ndërkombëtare dhe debati tashmë duhet të kthehet aty ku duhet, duhet të jetë te publiku shqiptar.”

Protesta e kryeqytetit pasohet nga ajo në Durrës e cila quhet dhe porta hyrëse prej nga mendohet të kryhet transporti i mbetjeve urbane nga Italia. /tvklan.al