Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Protestuesit e Partisë Demokratike gjatë mitingut të tyre të radhës, sot kanë sulmuar monumentin e heroit tonë kombëtar Skënderbeun. Ata kanë zbuluar veshjen që mbulonte monumentin, duke hequr jo vetëm një pjesë të mbulesave plastike, por duke prishur edhe kangjellat rrethuese të lulishtes dhe në fund përkrah flamurit kombëtar kanë vendosur flamurin e PD. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Gonxhe ka reaguar menjëherë ndaj ngjarjes së sotme.

Blendi Gonxhe:- “Më duhet t’iu them, se të gjithë këtu që kaluan bënë pyetjen, “Po me Skënderbeun ç’patën”? Dhe unë jam sa i mërzitur aq edhe i befasuar nga kjo ide e re e protestës së PD. Fatmirësisht nuk është dëmtuar monumenti i Skënderbeut dhe nuk është dëmtuar shumë pjesa e skelës, por është vonuar puna e specialistëve të cilët në datën 28 duhet të kishin mbaruar një detyrë shumë të vështirë, kthimin në identitet edhe të monumentit të Skënderbeut”.

Në protestat e fundit simpatizantët e PD kanë sulmuar një sërë institucionesh duke përfshirë këtu edhe djegien e një makine para parlamentit. Veç kësaj janë goditur edhe një gazetar amerikan, si edhe një oficer i lartë i MAPE-s./tvklan.al