Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Dy partitë e mëdha politike arritën konsensusin për reformën zgjedhore të zyrtarizuar me anën e një protokolli, e firmosur nga nënkryetari i Partisë Demokratikë Bamir Topi dhe sekretari i përgjithshëm i PS Gramoz Ruçi, në prani të ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Osmo Lipponen.

Përfaqësuesit ranë dakord, për ngritjen e një komisioni parlamentar me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare, por shumica në vendimmarrje do t’i atribuohet vetëm konsensusit të PD dhe PS. Puna e komisionit do të fillojë me ndryshimin e neneve për balancimin e KQZ, si hartimin e listave.

Bamir Topi: “Bëhet fjalë për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, debat i cili po zhvillohet sot në ambientet e parlamentit, pikërisht për të bërë rregullimin e atyre mangësive, që janë reflektuar në kodin zgjedhor dhe sidomos në infrastrukturën zgjedhore, ku elementë kryesor është KQZ. Do të punohet, për rindërtimin e KQZ, për përbërjen e tij dhe elementë të tjerë që janë elementë teknikë që do t’i bëjë pikërisht ky komision i posaçëm parlamentar”.

Përfaqësuesit ftuan prezencën e OSBE-së të drejtojë grupin e ekspertëve, për t’i siguruar asistencën teknike komisionit. Komisioni do të shqyrtojë mundësitë për të rritur numrin e grave të përfaqëuara në Kuvend, nëpërmjet listës së mandateve plotësuese. Puna e komisionit duhet të përfundojë brenda dy muajve./tvklan.al