Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi se ka një konsensus për votën e emigrantëve ndërsa vijojnë negociatat për herësin e votave për shpërndarjen e mandateve të deputetëve.

Bledi Çuçi: Le të shpresojmë që do të arrijmë një konsensus, pasi siç dihet kodi zgjedhor kërkon shumicë të cilësuar dhe mendoj që me të gjitha përpjekjet që kemi bërë në këtë aspekt të kemi një rezultat pozitiv në mënyrë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetësohet në mënyrë sa më korrekte në kodin zgjedhor sipas përcaktimit që bën Kushtetuta.

Çuçi shprehu keqardhje që opozita s’është pjesë e komisioneve Anti-korrupsion dhe atë të Dezinformimit. Si shembull të bashkëpunimit me opozitën Çuçi përmendi votën konsensuale për amnistinë penale.

Bledi Çuçi: Një keqardhje për të dy komisionet që opozita nuk është bërë ende pjesë e saj. Unë besoj që opozita do të na bashkohet në rrugën drejt modernizimit të shtetit shqiptar sepse janë komisione që nuk lidhen me luftën politike, por me të ardhmen e Shqipërisë.

Çuçi nuk kurseu superlativat për kryebashkiakun Veliaj.

Bledi Çuçi: Erion Veliaj është padyshim kryetari i bashkisë më i sukseshëm që ka pasur dhe ka Partia Socialiste në këto vite kur ne qeverisim së bashku pushtet qendror dhe pushtet vendor. Transformimi historik i Tiranës është një realitet që nuk mund ta bëjë pis çfarëdolloj balte që mund të hidhet mbi figurën e kryetarit.

Çuçi tha se për mandatin e deputetes Xhaçka nëse është në konflikt interesi ka paqartësi ndaj socialistët do të kërkojnë opinionin e Komisionit të Venecias. Sipas tij Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i imponojë votën e deputetëve për këtë çështje. 

Klan News