Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Socialdemokratët i zënë ethet e përçarjes një ditë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar prej 99 anëtarësh. Kanë qenë dy mbledhjet e fundit të këtij forumi që kanë shënuar tendencat e para të ndarjes në dy kampe të Partisë Social Demokrate. Seketarët Kule, Myftari dhe Ahmetaj kanë kundërshtuar shtimin e postit të nënkryetarit dhe zgjedhjen e ish-ministrit Apostoli në këtë post dhe ndryshime strukturore të organeve drejtuese të PSD.

Pas këtyre veprimeve Kule, Ahmetaj dhe Myftari kanë krijuar fraksionin anti-korrupsion duke i kërkuar kryetarit Gjinushi pastrimin e partisë nga të korruptuarit. Por Gjinushi i ka etiketuar sekretarët si spiun, qejfmbetur dhe të etur për pushtet personal, ndaj edhe në mbledhjen e nesërme pritet që ai ti ndëshkoj të pabindurit.

Në mbledhjen e sotme të kryesisë së PSD, fraksionistët kanë përsëritur edhe një herë kërkesën e tyre për shtyrjen për disa ditë të mbledhjes së këshillit kombëtar me motivin e pamundësisë së pjesmarrjes të disa prej figurave qëndrore të kësaj partie, si Ahmetaj, Kule dhe Pango. Por kryesia socialdemokrate ka vendosur me shumicë votash mbledhjen e Këshillit Kombëtar nesër paradite rreth orës 11./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame