Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Socialdemokratët mbeten besnikë të aleancës me Partinë Socialiste, por kërkojnë bashkëqeverisje të së majtës, duke përfshirë këtu dhe grupin e socialistëve të drejtuar nga Ilir Meta. Kryetari Skënder Gjinushi thotë, se qeverisja duhet përmirësuar për t’i dhënë elektoratit të majtë imazhin e duhur të finales.

Skënder Gjinushi: “Problemi është që çdo situatë të re, e majta duhet të dijë ta menaxhojë që çdo gjë të shkojë prapë në favor të së majtës, çka do të thotë që edhe një ndarje mund të pasohet nga një ribashkim. Në kuptimin që në fund të fundit edhe një forcë e re që krijohet është një forcë e majtë dhe rrjedhimisht forcat e majta duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. E majta nuk duhet të mendojë për ta lëshuar pushtetin, por për ta përmirësuar pushtetin dhe qeverisjen deri në 2005 dhe për të rifituar zgjedhjet në 2005. Ky është qëndrimi i PSD dhe në funksion të kësaj ne kemi kërkuar dhe ndryshime e përmirësime në kabinetin qeveritar”.

Ndryshe nga agrarët përsa i takon konfigurimit parlamentar në shtator, Skënder Gjinushi tregohet më i duruar.

Skënder Gjinushi: “Jo që është për t’u parë më në veçanti, është se sa do të jetë numri i grupit socialist dhe sa do të jetë numri i grupit të ri socialist, sepse në funksion të kësaj pastaj janë shumë pikëpyetje që vijnë mbrapa ose kondicionohen gjithë zhvillimet mbrapa nga ky raport në shtator”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj