“Pacientëve u duhet patjetër ndihma e psikologut”

Që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëruan se ajo mund të shkaktojë ankth stres dhe depresion jo vetëm tek të infektuarit, por edhe në popullatën e shëndoshë.

Nisur nga kjo psikologia Entela Binjaku shprehet se këshilla e një psikologu mund të kishte parandaluar vetvrasjet e pacientëve me Covid në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

“Jo të gjithë njerëzit preken njëlloj prej këtij presioni të shtuar prej pandemisë. Disa njerëz ndjehen mjaft më të brishtë psikologjikisht ndaj këtij presioni të lartë. Unë mendoj se mund të ishin parandaluar për aq kohë sa këto janë mjedise të kujdesit të lartë shëndetësor.”

Por çfarë është ajo që duhet bërë që ngjarje të tilla të mos përsëriten?

“Ne kemi vite që flasim për nevojën e shërbimit psikologjik në institucionet e rëndësishme të vendit tonë. Duhet të jenë aktive dhe jo të presupozohen se janë dhe qytetarët të mos i shohin kurrë.”

Psikologia është e mendimit që të gjithë duhet të bëjmë kujdes në këtë situatë për të mos rënë pre e depresionit. Ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik duhet të jenë fokusi për një shëndet të mirë mendor.

Tv Klan