Rreth tre muaj pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec punëtorët që i mbijetuan tragjedisë kanë hyrë në grevë urie. Të pakënaqur nga dëmshpërblimi prej 100 mijë lekësh të reja të dhëna nga qeveria punëtorët e ish-fabrikës së demontimit kërkojnë nga shteti edhe 400 mijë lekë të reja dëmshpërblim. Pagesën e rrogës për një vit dhe më pas t’ju lidhet asistencë. Këto kërkesa ata i kanë paraqitur edhe gjatë disa protestave të zhvilluara pas shpërthimit në Gërdec.

Grevisti 1: “Ne kërkojmë dëmshpërblim njëherë 4 milionëshin, ne nuk jemi të aftë për punë.”

Grevisti 2: “Pa na i plotësuar kërkesat tona ne nuk dalim, deri në vdekje.”

Grevisti 3: “Na kanë dhënë atë 1 milion lekësh të vjetra që edhe ilaçe nuk dilnin.”

Andi Belliu: “Këto familje po kalojnë një gjendje tepër të keqe nuk kanë as të hanë, nuk kanë as të mjekohen ata që janë dëmtuar. Nuk kanë asnjë ndihmë sociale nga shteti, shumica  tyre duke qenë që janë  të dëmtuar rëndë nuk marrin as kemp nga shteti.”

Përfaqësuesit e 143 punëtorëve të ish-fabrikës së demontimit janë të vendosur të vazhdojnë grevën e urisë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre. Ata shprehen se kërkesat janë me karakter ekonomik sepse asnjë prej tyre nuk është i aftë për punë për një periudhë 2-vjeçare./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami