Ndërsa Ministrja e re e Shëndetësisë, Anila Godo, ka deklaruar se do të ndërmarrë një sërë reformash të domosdoshme në këtë sektor më shumë se kudo ky reformim kërkohet në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Për shefin e shërbimit të urgjencës kirurgjikale në QSUT, Ylli Ziçishti, reformimi duhet të fillojë me zhvillimin dhe modernizimin e të gjithë sistemit shëndetësor.

Ylli Ziçishti: “Të zhvillohet shërbimi spitalor dhe shërbimi ambulator. Të zhvillohet vendi me shërbimin mjekësor sepse vijnë rrethet direkt. Ne po flasim këtu, nuk mbulohet me mjekësi, me shërbimin mjekësor. Që të shërbehet sa më shpejt, po sorollaten këtu, është spitali tjetër, është gati, Sanatoriumi. Po përgatitet me të gjitha. Të fillojë sa më shpejt reformë, e quajtur.”

Por nga ana tjetër mangësitë që janë bërë pjesë e sistemit shëndetësor e sidomos në QSUT vazhdojnë t’i paguajnë qytetarët.

Të ardhur në QSUT nga zona të ndryshme të vendit edhe pse nuk guxojnë të kritikojnë shërbimin e ofruar në spitale qytetarët ngrenë shqetësime të ndryshme.

“Këtu ilaçet me të blera të gjitha. Vetëm dy lloj gjilpërash na jep spitali, të tëra marrim nga 40 mijë, nga 30 mijë, nga 20 mijë një herë në 4-5 ditë. U shkatërruam nga paratë.”

“Ka shumë mungesa, për shembull duhet me pre një letër këtu edhe thotë mandatin ose letrën sikur kam letër për shembull për të sëmurin se unë vëllain e kam në Dibër edhe të marr edhe kam shumë halle për të. Tani a duhet me prit 3-4 orë për të zgjidh problemin”./tvklan.al