Në një mbledhje jashtë radhe të zhvilluar pasditen e së premtes Këshilli i Ministrave ka diskutuar  buxhetin e vitit të ardhshëm.

Ky buxhet, i cili do të jetë afro 5 miliard $, do të ketë si zërin kryesor të shpenzimeve investimet publike dhe kryesisht ato në infrastrukturën rrugore.

Viti i ardhshëm që përkonte me vitin elektoral sipas kryeministrit do të gjejë të gjithë rrjetin rrugor të vendit të rindërtuar ose në rindërtim e sipër. Zëra të tjerë të parë me përparësi në këtë buxhet janë shëndetësia, arsimi e mbrojtja, pa harruar këtu dhe rritjen e pagave dhe pensioneve.

Sali Berisha: “Largojmë në parlament buxhetin e ri, buxhet i cili do t’i garantojë Shqipërisë investimet e mëdha publike. Buxheti u bë i mundur sepse tre vjet resht ne si asnjë vend tjetër kemi rritur të ardhurat me 22% dhe kjo pa…burim të papritur gazi dhe nafte në territorin e vendit, por nga një bum real i tregut dhe luftë me paanësi të madhe të kontrabandës, evazionit dhe informalitetit”.

Ndërkohë kreu i mazhorancës ka dhënë garanci të plotë se fushata elektorale nuk do të ketë kurrfarë  ndikimi në implementimin e të ardhurave buxhetore.

Sali Berisha: “Fushata dhe zgjedhjet jo që nuk do t’i ngadalësojë reformat, por e kundërta do të ndodhë, xhirot e motorit të reformave, shpejtësia e tij do të njohë tregues shumë më optimal.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka