Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Zëdhënësi i qeverisë Aldrin Dalipi ka hedhur poshtë dokumentin sekret të paraqitur më parë nga deputeti Nikollë Lesi, duke e cilësuar spekulativ. Sipas tij dokumentet zyrtarë dhe shtypi i asaj kohe vërtetojnë se nga data 14 deri në 17 dhjetor ’97, kryeministri Nano ndodhej në Londër, për një takim me sekretarin e jashtëm britanik.

Aldrin Dalipi: “Duke iu referuar gazetës “Koha Jonë” të asaj periudhe është e martë 16 Dhjetor 1997, ku në faqet e brendshme të gazetës “Koha Jonë” ka një titull “Nano merr inkurajim britanik”, ku i referohet vizitës së kryeministrit, pra është data 16 dhe një ditë më parë është zhvilluar takimi.”

Menjëherë ka reaguar deputeti Nikollë Lesi, i cili deklaron se data dhe ora e përmendur një ditë më parë i referohen procesit të transkriptimit Nano-Abdiu.

Nikollë Lesi: “Transkriptimi i bisedës është bërë më 15 dhjetor 97, pra nuk lidhet me ato përgënjeshtrime që po mundohet zoti Nano që të thotë që në këtë datë nuk kam qenë në Shqipëri, kjo është data e transkriptimit, incizimi është bërë përpara. Unë e sigurojë zotin kryeministër, që do të ngreh një komision hetimor parlamentar, po vazhdojë marrjen e firmave, për ta hetuar për këtë ngjarje dhe ngjarjet e tjera, vërtetësinë e dokumenteve që unë kam pohuar, nuk e luan më as topi i Karadakut, jo më çiftja, apo çifti Nano.”/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj