Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit, normat e reja për ndalimin e piraterisë dhe konkurrencës së pandershme në transmetimet radiotelevizive. Miratimi i vendimit me ndryshimet për ligjin ekzistues, vjen menjëherë, pas një takimi të kryeministrit të vendit Fatos Nano, me drejtues të mediave kryesore në vend, ku u shprehën dhe shqetësimet e tyre për fenomenet në fjalë.

Kështu në ndryshimin e ligjit për radiot dhe televizionet publike dhe private në Republikën e Shqipërisë është pasur si qëllim, forcimi i masave për respektimin e të drejtës së autorit, të drejtës televizive dhe detyrimit, për blerjen e programeve radiotelevizive, sipas akteve ligjore.

Në nenin e parë të ligjit, sipas ndryshimeve të bëra, përcaktohet detyrimi, i depozitimit pranë KKRT, të dokumentacionit që vërteton të drejtën e transmetimit të programeve. Gjithashtu për here të parë, shprehet në ligj elementi i së drejtës së transmetimit të reklamës.

Nëpërmjet ndryshimeve ligjore, ndalohen transmetimet e programeve me logon e stacioneve të huaja televizive, përveç atyre operatorëve, që u është njohur kjo e drejtë nëpërmjet licencimeve, për transmetim të programeve me anë të përsëritëseve radioteleviziv dhe të transmetimit të programeve informative në gjuhën shqipe, të rregulluara me marrëveshje. Gjithashtu, me një nen ligjor përcaktohen dhe sanksionet administrative, në rast të mosrespektimit të detyrimeve të parashikuara./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj