Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Qeveria zbardh skemën financiare të piramidave. Kreditorët e mbetur do të përfitojnë vetëm 10-11% të parave të investuara në firmat piramidale.

Fatos Nano: “Me paratë e mbledhura nga shitja e aseteve të shoqërive huamarrëse të mbetura në proces, Kamberi, VEFA Holding, apo Gjallica, për rreth 50 milion dollarë gjendje në bankë, do të nis shpërndarja për kreditorët e ligjshëm. Për vlerën financiare për rreth 50 milion dollarësh gjendja në bankë për t’u shpërndarë do të jenë 10.2 dhe 11%.”

Nga 830 milion dollarë që qytetarët investuan në firmat piramidale, qeveria ka arritur të mbledh pas vitit 97, vetëm 66 milion dollarë. Afro 25% e parave ëhstë dhënë në interesa gjatë viteve të lulëzimit të firmave piramidale, 18% e parave janë përdorur për shpenzime nga firmat rentiere, ndërkohë që afro 25% e parave janë të fshehura dhe pa destinacion.

Fatos Nano: “Vlera e portofolit të rreth 320 aseteve në administrim të transparencës për rikompensimin e kreditorëve nuk arrin më shumë se 5-7% e vlerës totale të borxhit.”

Qeveria mbylli procesin e transparencës së fajdeve dhe pritet të akordojë paratë e përfituara nga shitja e pronave të piramidave kreditorëve brenda këtij viti./tvklan.al