Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nga data 1 Korrik, paga minimale në shkallë vendi do të jetë 10.8 mijë lekë të reja, këtë vendim ka marrë Këshilli i Ministrave.

Aldrin Dalipi: “Për punonjësit, si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat, qoftë vendas apo i huaj, paga bazë minimale mujore, nuk do të jetë posht shifrës 10.8 mijë lekë të reja, ose 108 mijë lekë të vjetra”.

Sipas zëdhënësit Dalipi, mbi këtë pagë do të bëhen dhe shtesa për orarin në punë. Ky vendim ka një efekt të rëndësishëm dhe për kontributet dhe sigurimet shoqërore. Efekti financiar i kësaj rritje është 27 milion lekë në muaj për institucionet buxhetore, ku me pagë minimale paguhen vetëm 6.6% e punonjësve.

Kryeministri Fatos Nano ka urdhëruar që brenda vitit 2004, të përfundojë studimi për rritjen e pagës minimale të diferencuar për sektorë të ndryshëm buxhetor apo privat, duke marrë në konsideratë, shkallën e vështirësisë së punës.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave shpalli zyrtarisht mbështetjen për kandidaturën e përfaqësuesit të Shqipërisë, për pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së. Kandidatura shqiptare për këtë post është ajo e ambasadorit të Shqipërisë pranë këtij organizimi dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Vjenë, Zef Mazi./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj