Një qytetar nga Kosova u arrestua në Merdare nga autoritetet e Serbisë. Tefik Mustafa, u arrestua me pretendimin se ka kryer krime lufte.

Lidhur me rastin ka folur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës. MPJD-ja thekson se Zyra Ndërlidhëse në Beograd, i ka njoftuar shtetet e QUINT-it.

“Gjithashtu do të paraqes kërkesë zyrtare autoriteteve serbe për të lejuar Ambasadorin Jashari ta vizitojë z. Tefik Mustafa, në mënyrë që shteti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës të njoftohet më konkretisht për trajtimin që po i bëhet z. Mustafa nga organet serbe”, thuhet në përgjigje.

Tutje, Ministria e Jashtme e dënon ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe njëkohësisht bën thirrje për lirimin e qytetarit, Tefik Mustafa.

“Njëkohësisht ftojmë të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”./Klan Kosova