U artikulua për herë të parë gjatë vizitës së Presidentit të Ukrainës në Tiranë, por duket se qeveria shqiptare ka një plan të qartë për të rigjeneruar industrinë e prodhimit të armëve. Vetë Kryeministri ka folur dhe me afate të sakta se kur do të ndodhë kjo.

“Brenda vitit 2030 ne të kemi dhe eksporte ushtarake të markës Made in Albania”.

Tv Klan mëson nga burime zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes që aktualisht ka një interes nga investitorë seriozë të huaj që duan të investojnë në 3 uzinat e mbyllura të prodhimit të armëve në Gramsh, Poliçan dhe Mjekës për t’i bërë funksionale për prodhimin e armëve.

“Sigurisht, në bashkëpunim me sipërmarrje të mëdha, serioze, të vendeve aleate, shteti do të jetë partner, ortak, aksioner”, u shpreh Rama.

Gjatë inagurimit të Qendrës së Inavacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rama foli dhe për strategjinë e investimeve në teknologji, që do të bëjnë të mundur që inspektimet kryesisht në siguri dhe në mbrojtje, por edhe në bujqësi dhe kontrollin e territorit, të bëhen nga ajri.

“Po përgatisim protokollet e punës për të pasur një supervizim të vazhdueshëm dhe të pagabueshëm të territorit”.

Kryeministri riprezantoi vendimin për rritjen e pagave për ushtarakët brenda gjysmës së dytë të këtij viti, por garanton se mbështetja do të shkojë dhe për studentët e akademive ushtarake dhe atyre të policisë si dhe studentëve të degëve që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin.

“Për herë të parë në trendin historik, pagat e Forcave tona të Armatosura rriten çdo vit sikundër e kemi premtuar dhe do të rriten përsëri këtë vit në mënyrë përsëri të ndjeshme”.

Sipas Kryeministrit, aktualisht ushtarakët shqiptarë janë më të mirëpaguarit në rajon.

Tv Klan