Kryeministri Edi Rama ka shuar çdo shpresë të vendeve europiane që duan të arrijnë një marrëveshje me Shqipërinë, të ngjashme si ajo mes Tiranës dhe Romës për strehim të përkohshëm të emigrantëve të jashtëligjshëm. Kreu i qeverisë në një intervistë për prestigjozen Financial Times, shpjegon se marrëveshja me Italinë ishte një rast i veçantë.

“Me Italinë është unike, 100% unike. Qeveri të tjera na janë drejtuar për të përsëritur marrëveshjen me Italinë. Kam thënë “Jo” sepse nuk ka kuptim për mua. Italia është shumë e veçantë për ne, më shumë se një marrëdhënie strategjike. Është një miqësi e rrënjosur thellë”, tha kreu i qeverisë.

Rama rrëfen edhe rastin konkret kur një propozim i tillë i është bërë nga Boris Johnson, kur ishte në krye të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

“Boris Johnson më telefonoi dhe më tha se vlerësonte lidershipin tim dhe që të bënim  diçka së bashku. “Le të kemi një marrëveshje që Britania e Madhe të sjellë në Shqipëri migrantët e paligjshëm për t’i mbajtur atje, për t’i përpunuar. Ndryshe nga marrëveshja italiane, e cila është për strehimin deri në 3 000 persona në të njëjtën kohë, oferta e Mbretërisë së Bashkuar nuk kishte një numër fiks. Ishte për të gjithë ata që shkonin në Britaninë e Madhe… si një tranzit. Unë thashë se nuk ka asnjë mënyrë. Pastaj, kishim kërkesa të tjera që nuk do t’i përmend, nga vendet më të pasura në Evropë”, shtoi kryeministri.

Për kreun e qeverisë shqiptare, mund të gjendet një mundësi që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ndihmojnë BE-në me këtë problem ashtu siç i është kërkuar Shqipërisë. Rama flet edhe për procesin e zgjerimit, ku thotë se “ka ndryshuar rrënjësisht për shkak të luftës së Vladimir Putinit në Ukrianë”. Ai vlerëson se edhe autoriteti moral i unionit po zbehet dhe se Europa po ballkanizohet.

Tv Klan