Në prag të ndeshjes së mbrëmjes së sotme të Kombëtares me Spanjën, Kryeministri Edi Rama ka postuar një opinion për ecurinë e ekipit tonë në Euro 2024 që titullon “Forca Shqipe”

Rama veç befasinë së përgjithshme që ka ngjallur loja e deritanishme e skuadrës së kuqezinjve, flet për pritshmëritë me Spanjën.

“Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur. Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë”, thotë kreu i qeverisë.

Për Kryeministrin, cilido qoftë rezultati i sotëm me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive.

Kjo do t’i shërbejë që të rritet shkruan Rama dhe të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e Euro 2024-ës.

Tv Klan