Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vijuar me prezantimin e programit qeverisës, kësaj here në veri të vendit, ku është ndalur ne bashkinë e Koplikut. Lufta kundër varfërisë ka qenë kryefjala në takimin e zhvilluar me banorë edhe simpatizantë të Partisë Socialiste të kësaj zone, ku Rama ka premtuar ndryshim të gjendjes me ardhjen e socialisteve me pushtet.

Edi Rama: “Shërbimi shëndetësor kombëtar të cilin ne do ta themelojmë, do të jetë një shërbim universal, i cili nuk do të ngrihet mbi sigurimet shëndetësore, por mbi financimin publik të shëndetësisë. Spitalet shqiptare do të jenë jo thjesht vendet ku kurohen ata të sëmurë që kanë mundësi, por hapësirat ku forcohen kohezioni social i bashkisë sonë shqiptare për të gjithë ata që kanë nevojë për tu kuruar. Bashkë me mjekët dhe infermierët dhe me një politikë krejt të re  për shëndetësinë, ne do ta transformojmë nga rrënjët sistemin tonë shëndetësorë.”

Edhe në Koplik Rama akuzoi atë që e cilëson si politikë të vjetër të këtyre viteve, se ka parë vetëm interesat e saj, dhe u kërkoi qytetareve të bashkohen përtej së majtës e së djathtës në shërbim të së ardhmes.

Edi Rama: “Sepse për jerm të parë në këto 18 vjet liri në Shqipëri, një opozitë, kjo e jona punoi me vetëdijen e një alternative qeverisëse, bashkë me ju, me shqiptarët dhe shqiptaret, ne nuk hartuam një listë premtimesh të bukura për të marrë votat, po një plan konkret për ta vënë qeverinë në punë qysh të nesërmen e fitores për realizimin e ndryshimeve për të cilat ju dhe zgjedhësit e zgjedhëset në të gjithë Shqipërinë do të na japin votat.”

Duke shprehur bindjen në fitoren e zgjedhjeve të qershorit, Rama tha se në këto 18 vjet, për herë të parë opozita e majtë punoi me vetëdijen e një alternative qeverisëse./tvklan.al