“Dialogu me Shqipërinë” i kryesocialistit Rama, ka vijuar në fshatin Grabian të Qarkut të Lushnjës. Duke bashkëbiseduar me Ramën banorët e këtij fshati ka folur me të për vështirësitë ekonomike dhe për problemet e mëdha të papunësisë me të cilat ata përballen çdo ditë.

“Fëmijët i kam të vegjël, nuk kam me ça i ushqej, me 5 lekë që më jep qeveria dritat i kam pa larë, fëmijët i kam pa bukë. S’ka të ardhme, s’ka fond, me ça t’i ushqejmë këta fëmijë? Ku t’i çojmë?”.

Lideri i opozitës në këtë takim ka premtuar se politika e re e PS-së do të jetë një politikë solidare me të gjithë ata që jetojnë në fshat dhe në qytet.

Edi Rama: “Politikanët nuk japin shembuj të përmasës së tyre njerëzore, po vetëm shembuj të egoizmit dhe të cinizmit të tyre në raport me njerëzit duke e kthyer politikën në një skenë ku shohim çdo ditë kacafytje dhe jo debate dhe zgjidhje për problemet e mëdha të familjeve shqiptare në qytet dhe në fshat”.

Për Ramën qeverisja e nesërme e socialistëve do të jetë me sy nga njerëzit, pasi PS do të jetë një aleat në krah të familjeve që jetojnë në vështirësi ekonomike, ndryshe nga ajo që shohim ne sot, tha Rama./tvklan.al

Gazetare: Elja zotka