Sektori i ndërtimit ka njohur një rritje të konsiderueshme gjatë 3 muajve të parë të këtij viti. Pesha më e madhe i dedikohet punimeve kolosale që po kryhen në rrugën Durrës-Kukës-Morinë, plus dhe atyre në akse të tjera rrugore që sipas raportit më të fundit të Institutit të Statistikave përllogariten të jenë pothuajse katërfishuar, kjo e krahasuar me 3 mujorin e parë të 2007-ës.

Por nga ana tjetër konstatohet se ndërtimi i pallateve të reja është tkurrur me gati 30%. Kjo për shkak të mungesës së lejeve dhe shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit. Ndërkohë që po në këtë masë me 30% është rritur numri i të punësuarve në ndërtim.

Elsa Dhuli: “Rritja më e madhe paraqitet në degën e ndërtimit. Rritja totale është 40.8%, por influencën më të madhe në këtë rritje e kanë dhënë punimet inxhinierike në akset rrugore duke përfshirë këtu dhe punimet e kryera në aksin rrugorë Durrës-Kukës-Morinë. Ky është një indeks në të cilin është përjashtuar ndikimi i çmimeve dhe paraqet një rritje reale të ekonomisë”.

Raporti i INSTAT hedh dritë dhe mbi ecuritë e industrive shqiptare. Në total ky sektor ka njohur një rritje prej 3.7% që sipas eksperteve tregon qëndrueshmëri. Edhe tregtia me shumicë ka shënuar rritje 30% më shumë se 3 mujori i parë i 2007-së. Po sipas INSTAT pozitive janë të dhënat dhe për transportin hekurudhorë, falë volumeve gjithmonë e në rritje të transportit të mallrave ndryshe nga numri në rënie i pasagjerëve./tvklan.alGazetari: Fjorald Zguro