2.4 milionë banorë ka Shqipëria, ky është rezultati i censit 2023 i kryer nga INSTAT.

“Në krahasim me censin e vitit 2011 popullsia e Shqipërisë rezulton se ka rënë me 420 mijë banorë ose 17%.”

Të dhënat tregojnë se popullsia në vend po plaket me ritme të shpejta. Një në pesë individë në Shqipëri janë 65 vjeç e lart, duke zënë kështu gati 20% të numrit të banorëve.

Në konferencën e prezantimit të gjetjeve drejtorja e INSTAT, Elsa Dhuli tha se informacionet e Censit do të shërbejnë për të hartuar politika më të mira në të gjitha fushat.

“Analizat dhe studimet tematike do të kryhen për fusha të ndryshme të jetës. Këto analiza do të jenë për përdoruesit një burim informacioni për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më të barabartë dhe më të qëndrueshme për shoqërinë tonë”, tha ajo.

Ndonëse numri i familjeve është rritur, ka një rënie të anëtarëve për familje në 3.2 anëtare nga 3.9 që kishte para 12 vitesh.

Një e treta e banorëve janë të përqendruar në qarkun e Tiranës.

 “Censi i vitit 2023 nxjerr në pah se popullsia e Shqipërisë dominohet nga femrat me 50.4%.”

Sakaq sa i përket etnicitetit, 91% e popullsisë kanë deklaruar se janë shqiptarë, ndërsa 8% i përkasin etnive të tjera si greke, egjiptiane, rome, bullgare etj.

Ndërsa të dhënat mbi fenë tregojnë se në vend mbizotëron besimi islam, pasuar nga ai i krishterë katolik dhe ortodoks.

Tv Klan