Komisioni Evropian i ka bërë një raport të ecurisë së Shqipërisë drejt integrimit.

Raporti i referohet takimit të rregullt konsultativ të mbajtur në 29 Janar mes grupit të punës së komisionit evropian dhe autoriteteve shqiptare.

Në takim u bë një analizë e detajuar mbi planet qeveritare si dhe parashikimet buxhetore për transportin rrugor, hekurudhor, ajror, ujor dhe atë të kombinuar.

Përsa i takon energjisë u debatua mbi zbatimin e traktatit të komunitetit, eficencën energjetike dhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme, sigurinë bërthamore si dhe strategjitë për furnizimin e sigurt me energji.

Mbi çështje të mjedisit fokusi kryesor ishte në zonat e nxehta të ndotjes në vend, strategjitë për ujin dhe higjienën, konventat ndërkombëtare mbi mbrojtjen e natyrës, por edhe mbledhja e mbeturinave.

Komisioni evropian vlerësoi përparimin e shënuar të Shqipërisë, si dhe inkurajoi vazhdimin e përpjekjeve për t’u përgatitur për hyrjen në fuqi të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, një zbatim i kënaqshëm i së cilës duke filluar me çështjet tregtare të marrëveshjes së ndërmjetme u konsiderua i rëndësishëm për përparimin e mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian.

Theksi kryesor u vu në fusha të tilla si transporti, energjia dhe mjedisi që mund t’i shërbejnë ndjeshëm zhvillimit ekonomik të Shqipërisë si dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve.

Në këtë funksion autoritetet shqiptare garantuan se do të vazhdojnë të tregojnë vendosmëri në përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra./tvklan.al