Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë shprehur shqetësimin e tyre në një konferencë për mediat disa çaste pasi asambleja e përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e Serbisë, akt ky që i hap rrugë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që të thotë mendimin e saj lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë dy liderët kryesorë të vendit janë shprehur të bindur se pavarësisht pengesave që po shfaqen asgjë nuk mund të zhbëjë pavarësinë e Kosovës.

Presidenti tha se çfarëdo vlerësimi që të japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë Kosova do të vazhdojë rrugën e nisur më 17 Shkurt.

Fatmir Sejdiu: “Ne dhe përkrahësit tanë të shumtë ndërkombëtarë kemi thënë vazhdimisht se çështja e pavarësisë së Kosovës është zgjidhur dhe është e pakthyeshme. E kuptojmë të drejtën e asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që të bëjë këtë referim, ndonëse ky vendim nuk do t’i ndihmojë përpjekjet për të promovuar stabilitet afatgjatë në Kosovë dhe rajon. Çfarëdo që gjykata të thotë në fund në lidhje me pyetjen e cila është parashtruar ne do të ndjekim rrugën e zhvillimit dhe të përparimit të Kosovës së pavarur së bashku me partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë”.

Ndërkaq kryeministri Hashim Thaçi është shprehur i bindur se vendimi i asamblesë së përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk do të ndikojë në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Hashim Thaçi: “Mendoj se vetë realiteti i ardhshëm i njohjeve për pavarësinë e Kosovës do të jetë përgjigja më e mirë për idenë e keqe të Beogradit, pra njohjet do të vazhdojnë, bile dhe Beogradi do të befasohet dhe do të nervozohet. Beogradi i ka vu vetes një barrë të madhe që nuk do të mund ta çojë në rrugën për integrim në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO dhe mendoj se ka qenë, po aq sa ka qenë për Kosovën një ide e keqe, po aq do të ketë boomerang edhe për vetë Beogradin”.

Kërkesa e Serbisë u votua nga 77 shtete, 74 abstenuan, ndërkaq vetëm gjashtë përfshirë dhe Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës votuan kundër.

Në mesin e vendeve që votuan pro rezolutës së Serbisë ka edhe shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës./tvklan.al