Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Përparim Sanxhaku:- “Midis këtyre dyjave do të thosha që më në normale është që Presidenti i Republikës, të japë dorëheqjen, në qoftë se e çmon se nuk mund të vazhdojë të punojë në rastin konkret me situatën që u krijua, sesa të ndërhyet dhe të diktohet mbi një organ të depolitizuar siç është KLD”.

Pas intervistës në TV Klan të zv/ministrit të Drejtësisë Përparim Sanxhaku, ka reaguar Presidenti i Republikës Alfred Moisiu. Në një komunikatë zyrtare theksohet, se Presidenti i Republikës është në pritje të qëndrimit zyrtar të kryeministri të Shqipërisë, rreth mandatit politik të këtij zyrtari dhe përmbajtjes së deklaratës në fjalë. Kjo lë të kuptohet se kreu i shtetit është në pritje të largimit nga detyra të zotit Sanxhaku dhe paralajmëron një ftohje mes institucioneve të presidentit dhe atij të kryeministrit.

Lidhur me deklaratën e zv/ministrit të Drejtësisë Përparim Sanxhaku, ka reaguar një nga pjesëtarët e stafit të presidentit Moisiu. Këshilltari i jashtëm i tij Ylli Pango thotë, se formalisht KLD ka vepruar në përputhje me ligjin, për emërimin e gjyqtares Dëshira Subashi, si anëtare e KQZ, por ai nuk mund të përjashtojë nga përgjegjësia për krijimin e kësaj situate shumicën socialiste.

Ylli Pango:- “Deklaratat e këtij lloji, qoftë të zv/ministrit të Drejtësisë, qoftë të personalitete të tjera të jetës politike, unë them, se nuk bëjnë mirë për harmoninë, për zhvillimin normal të zgjedhjeve dhe në qoftë se presidenti ka vënë alternativën e dorëheqjes këtë alternativë nuk e ka vënë sepse nuk përballon dot gjendjen siç mund të shprehet dikush, por e ka vënë duke pasur parasysh, që në qoftë se zbatohet ky ligj në këtë mënyrë formale, ky mund të shkaktoj vërtet kriza të mëvonshme dhe probleme shumë të rënda gjatë zgjedhjeve, duke parashikuar këtë, presidenti i fton edhe njëherë palët si president konsensual që është, që të merren vesh midis tyre”.

Zoti Pango e konsideron të ngjashëm këtë rast me votimin në zonën e Dushkut.

Ylli Pango:- “Në të vërtetë ky ligj është zbatuar formalisht, por të keshë 5 anëtarë në një komision kundrejt 2, dmth. është të rregullojnë gjërat ashtu siç u rregulluan në Dushk, pra të kesh tamam numrin që të duhet për të vendosur”.

Këshilltari i jashtëm i Presidentit Moisiu megjithatë e sheh ende të mundshëm zgjidhjen e kësaj situate politike.

Ylli Pango:- “Por partitë dhe flasë partia në pushtet më tepër, ka në dorë të gjejë ndoshta edhe zgjidhje të tjera. E gjithë puna është të shikohet gjithçka në atë frymë që thashë, për të zhvilluar zgjedhje të ndershme, që të vazhdojë fryma e konsensusit, në mënyrë që edhe presidenti, si president konsensual të arrijë të ruaj ekuilibrat, sepse këtë qëllim i ka vënë vetes”.

Pak orë pas publikimit të deklaratës së Presidentit të Republikës Alfred Moisiu, ka reaguar kryeministri Fatos Nano. Zëdhënësi i kryeministrit me anë të kësaj deklarate sqaron, se prononcimi i zotit Përparim Sanxhaku dhënë në media, ku komenton zgjedhjen e anëtarit të KQZ nga KLD dhe debatin politik mbi këtë çështje, nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të kryeministrit dhe qeverisë. Me këtë rast, thuhet në deklaratë, theksojmë se kryeministri dhe qeveria e mazhorancës që ai drejton, kanë shprehur në mënyrë të vazhdueshme se janë të angazhuar në garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike./tvklan.al