Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ditë zie në Kosovë dhe në Republikën e Shqipërisë, për 16 viktimat e një aksidenti tragjik të ndodhur në rrugën mes dy vendeve. Flamujt janë ngritur në gjysmë shtizë në Tiranë dhe në Prishtinë, ndërsa 14 trupa kanë kaluar kufirin zyrtar mes shqiptarëve, për t’u kthyer pa jetë në shtëpinë e tyre.

Politika shqiptare është përfshirë në takime dhe mesazhe ngushëllimi për familjarët e viktimave dhe gjithë shqiptarët. 5 ditë më parë, autobusi me maturantë të shkollës “Abdyl Frashëri”, kishte nisur turin për vizitë në qytetet e Shqipërisë. 50 të rinj kanë parë Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Krujën, e pas 5 ditëve rrugëtim, autobusi i tyre është kthyer në automjetin e vdekjes.

Një nga autobusët e nisur për kthim ka rënë në një greminë në afërsi të Urës së Bicajve, 2km pa hyrë në Fushë Arrëz. Shkak për daljen ngarrua është bërë kalimi i gabuar për rrugën e ngushtë të një benzi me targa italiane, por i drejtuar nga një djalë nga qyteza e Fushë Arrësit. Pas përplasjes drejtuesi i benzit ka gjetur vdekjen, ndërsa autobusi nuk ka mundur të manovrojë duke rënë në greminë.

Autobusi është ndarë në dy pjesë dhe personat që ndodheshin aty janë përplasur në luginën e lumit. Nga gremina e thepisur, banorë të zonës dhe rrugëtarë kanë arritur të nxjerrin trupat e të plagosurve dhe të vdekurve brenda 30 minutave nga humnera, ndërsa spitali i Pukës i ka pritur 15 kufoma dhe 38 të plagosur. Disa orë pas aksidentit në rrugën e ngushtë që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, qytetit të vogël verior i kishin mbetur vetëm 14 kufoma, si një dëshmi e hidhur e një aksidenti në rrugën që lidh shqiptarët.

Gremina e Urës së Bicajve është vetëm një nga humnerat e shumta që shoqërojnë udhëtarët Tiranë-Kosovë, në të dyja anët e rrugës së ngushtë e me kthesa, që përshkon veriun e Shqipërisë. Me gjithë premtimet, angazhimet, taksat dhe projektet e qeverive të Tiranës dhe Prishtinë, kjo rrugë ka mbetur e gjerë si në projektin e saj të parë, në kohën e Italisë, ndërsa tabelat që paralajmërojnë kthesat nuk ekzistojnë.

Shqiptarët kanë 5 vjet që paguajnë për rrugën Durrës-Kukës, ende në rrugën e greminave nuk janë vendosur blloqe pritëse. Së fundi me gjithë angazhimet e ministrisë dhe projektet për ekskursione e binjakëzime mes shkollave të dy vendeve, autokolonat me autobusë në rrugën nacionale nuk i shoqëron askush. Vetëm 5 ditë më parë drejtori i përgjithshëm i policisë ka urdhëruar forcat e ndërhyrjes së shpejtë të kontrollojnë rrugët nacionale për të parandaluar aksidentet. Por me gjithë planin e masave Ibraj, i mbetur në letër të paktën 300 nxënës nga Malisheva dhe rrethinat kaluan 24 orë më parë nëpër mjegull pa asnjë udhëzim rrugor për automjetet përkatës.

Aksidenti tragjik me gjithë pakujdesitë e drejtuesve të mjeteve, u kujton dhe njëherë shqiptarëve, se sa e gjatë është rruga mes Tiranës dhe Prishtinës./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj