Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Alfons Toli nga Himara është emigrant në Greqi. Babi i 7 fëmijëve, ai është larguar nga vendlindja për arsye ekonomike, por edhe për faktin, se fëmijët e tij nuk mund të studionin në gjuhën greke.

Alfons Toli:- “Fëmijët e mi nuk e dinë shqipen, po të kishte shkollë greke këtu, do t’i sillja fëmijët këtu dhe unë do të isha këtu për veten time me gruan, do trajtoja dhe tokën dhe shtëpinë. Unë nuk e dija shqipen, këtu e mësova”.

Himara është një nga zonat më të prekura prej emigracionit masiv dhe një nga më të ndjeshmet përsa i takon diskutimeve etnike. Por gjithnjë në prag zgjedhjesh, këtu përplasen dy kultura, ndoshta dy etni. A ka një konflikt në Himarë dhe në qoftë se po, nga buron ai? Ky konflikt nuk dihet nëse është real apo i krijuar në mënyrë artificiale, nëse ka lidhje me historinë, fenë, apo thjeshtë me kërkesat e fundit për shkollën në gjuhën greke.

Alfons Toli:- “Konflikti nuk është i krijuar nga shqiptarët dhe nga himarjotët, i ka rrënjët e thella ky konflikt. Neve na konsiderojnë grek 50 vjet, unë s’kisha lindur atëhere, kur dëgjoja që i thoshin babait tim grek. Unë u rrita me këtë gjuhë, mësova këtë gjuhë, vajta në shkollë mësova historinë ndryshe, vajat në Greqi, shfletova librat e lexoj historinë ndryshe. Greqia e njeh minoritetin grek që ka në Shqipëri, brenda këtij minoriteti bën pjesë edhe Himara”.

Banori i Himarës:- “Himara është e Shqipërisë, Himara në lashtësi ka kënduar një këngë shqip, që ta marrë veshë populli shqiptar, “as me turkun, as me grekun, po me grykën e dyfekut” dhe ka shkruar në historinë botërore, ka qenë krahinë e pavarur autonome, që në kohët e sulltanëve të Turqisë, me 11 pika që janë të shkruara dhe në historinë turke dhe në historinë shqiptare. Jemi të bashkuar me dashuri, me të gjithë popujt që jetojnë në Shqipëri”.

Himara është një nga vendbanimet më të hershme të qytetërimit Ilir. Hipoteza të ndryshme historike e paraqesin atë, si një nga vendqëndrimet e mundshme të Odisesë, në rrugën e kthimit për në Itakë. Gjatë perandorisë bizantine, Himara mbeti një qendër e rëndësishme tregtare dhe kulturore. Në vitet e sundimit otoman, me vështirësi Himara siguroi autonominë nga Porta e Lartë. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe më pas lufta ballkanike, sollën për herë të parë në planet politiko-diplomatike çështjen Himarë, midis Shqipërisë dhe Greqisë, me pretendimet nga ana e kësaj të fundit mbi Vorio Epirin. Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve zgjidhi përfundimisht çështjen e legalizimit të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe bashkë me të edhe konfliktin greko-shqiptar mbi Himarën.

Zgjedhjet lokale të vitit 2000, e sollën Himarën përsëri në skenë, si pikën më të nxehtë të konfliktit zgjedhor dhe ashpërsimit të skajshëm të marrëdhënieve diplomatike Greqi-Shqipëri. Si rrallë herë, Partia Demokratike ftoi gjithë votuesit e saj të votonin për kandidatin e Partisë Socialiste ndaj atij të të drejtave njeriut, duke e kthyer bashkinë e Himarës në bashkinë më të diskutuar pas asaj të Tiranës. Pas tre vjetësh në prag të zgjedhjeve vendore, situata mund të rindizet. Himara qe pika më e nxehtë, që solli divorcin elektoral, mes PS dhe PBDNJ.

Vasil Bollano:- “Unë isha kandidat i PBDNJ edhe në zgjedhjet e vitit 2000. Janë problemet e njohura, të cilat besoj se nuk nderojnë as PS për mënyrën se si e kreu edhe me problemet që u krijuan, për mos njohjen e zgjedhjeve të vitit 2000, siç ishte komisioni i Këshillit të Europës për pushtetin vendor, sivjet shohim një klimë politike më të stabilizuar në këtë aspekt, por duhen bërë përpjekje të vazhdueshme nga politikanët e të gjitha partive, për demokratizmin dhe për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, sepse është vota e lirë e popullit, që do të nxjerrë se cila parti dhe sa përqind do te fitojë në çdo komunë e bashki”.

Himara është e himarjotëve dhe me gjithë historinë, fenë, shkollat apo partitë politike, një tjetër simbol ka filluar të zërë vend dukshëm, ngjyra e euros po bëhet më e rëndësishme se sa ajo e flamujve kombëtar. Pyetja e vetme është se, a do të ketë politika përsëri fuqinë çudibërëse, që himarjotët, në vend të llogarive, të parave nga sezoni turistik, të numërojë votat që do të hedhin më 12 Tetor./tvklan.al