Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit syri i reporterëve të agjencisë prestigjioze të lajmeve, Reuters”, është ndalur në të gjithë botën, por kësaj radhe destinacioni ishte qyteti i Kukësit dhe festimet e besimtarëve myslimanë atje.

Mesazhi që kanë përcjellë besimtarët kuksianë ishte ai i shpresës dhe dashurisë.

Ali Hallaçi: “Në rrethin tonë të Kukësit është shumicë myslimane, jo të gjithë janë praktikantë, por mundohen që ta praktikojnë këtë fe, mundohen që të jenë më të përpiktë, më të përkushtueshëm ndaj muajit të madhërueshëm të Ramazanit duke shkuar mirë në harmoni dhe në begati me njëri-tjetrin.”

“Paçim harmoni, të kemi dashuri për njëri-tjetrin se jemi në një jetë të shkurtër, me një botë fallxhore, të rrejshme, dhe së shpejti do shkojmë në botën e…”. Atje do japim llogari secilit dhe do të mbajë përgjegjësitë e veta morale dhe personale”.

Pas perëndimit të diellit besimtarët kuksianë i bashkohen myftiut Hallaçi për iftar.

Ilda Dogjani është vetëm 12 vjeç dhe sipas saj gjatë këtij muaji të shenjtë njerëzit duhet të jenë të lumtur dhe të tregohen të mirë ndaj njëri-tjetrit. Këto janë ditë dashurie, thotë ajo, për gazetarin e agjencisë, “Reuters”.

Si në çdo reportazh të kushtuar Shqipërisë “Reuters” lavdëron tolerancën fetare që mbizotëron jo vetëm në këtë qytet të vogël verior, por në të gjithë Shqipërinë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle