Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në mbështetje të protestave qytetare të Partisë Demokratike, republikanët kërkojnë që të mos bllokohet itinerari i programit të protestës që është parashikuar të përshkojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kryetari i PR Fatmir Mediu, në mbledhjen e këshillit drejtues sigurohej se protesta është tërësisht paqësore dhe nuk duhet të provokohet nga strukturat e shtetit siç u veprua më 7 Shkurt.

Fatmir Mediu:- “Është një protestë ku ne kërkojmë që çdo qytetar që do të marrë pjesë të respektojë ligjin dhe institucionet është një protestë ku ne do të dënojmë në mënyrë të padiskutueshme çdo akt dhune, duke denoncuar që sot, që çdo njeri i futur, i infiltruar ose jo, çdo njeri i cili do të tentojë që të ushtrojë një minimum akti dhune është në shërbim të Fatos Nanos dhe PS”.

Ndërsa presidenti i Asamblesë së Republikanëve Sabri Godo u shpreh se protestuesit duhet të jenë të lirë, të kërkojnë të drejtat e tyre.

Sabri Godo:- “Rrethimi me gardh i qeverisë, që duket sikur zoti Nano do ta kthejë në një kështjellë prej kashte, krejt të panevojshme, por që bëhet thjeshtë për provokim dhe deklarata e ministrit të brendshëm, se nuk do të lejojë që ky manifestim të dalë përtej sheshit “Skënderbej”. Ky ministër djaloshar duhet të dijë se këtu nuk bëhet fjalë për një kopsht fëmijësh që duhet të mbahet brenda gardhit. Në gjithë vendet e botës lejohen demonstratat në rrugët e qyteteve dhe unë them, që ky manifestim, duhet të shkojë nga sheshi “Skënderbej”, tek sheshi “Nënë Tereza”./tvklan.al