Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur të paktën 100 shtëpi në Karbunar të Lushnjës. Ato kanë rritur prurjet në përroin që përshkon këtë lagje duke e nxjerr atë nga shtrati. Uji ka vërshuar në qendrat e banuara, por ka përmbytur gjithashtu edhe sera e tok bujqësore.

“Janë shkaktuar dëme, ka dalë përroi. Me misër të mbjella me ça janë, ku janë shtëpitë janë bllokuar të gjithë, fidanet e serave që janë gati për të dalë në sera janë komplet të prishura”.

“Po bëj 3 orë që s’po iki dot te shpia se është bllokuar rruga”.

“Fillo që tek llixha, te llixha komplet janë sera, nëpër serat e mbjella komplet janë mbytur”.

Në pak orë kanë mbërritur dhe ndihma e pushtetit vendor, mjetet e bashkisë dhe bordit të kullimit bënë të mundur pastrimin e shtratit të përroit, çka solli dhe rënien e nivelit të ujit. Kryetari i Bashkisë ka premtuar dhe dëmshpërblim të banorëve të dëmtuar.

Albert Sanxhaku: “Në bashkëpunim me bordin e kullimit dhe do të … situata. Nesër në mëngjes do të jenë dhe mjetet e tjera gati që do të bëjnë hapjen në emergjencë të kanalit. Ka përmbytje nëpër familje, do të vazhdojnë rajonet, do të evidentojë çfarë familjesh janë dëmtuar, cili është dëmtimi i tyre ekonomik edhe do të parashikojmë në buxhet çfarë dëmesh kanë, t’i kompensojmë në bazë të këtij vendimi këshillit bashkiak”.

Situata është qetësuar në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që pastrimi i shtratit të përroit ka vijuar për disa orë në pjesët më problematike të tij./tvklan.al

Gazetare: Anila Sefa