Muzeu Etnografik i Krujës iu rikthye sërish vizitorëve dhe çelësi i shtëpisë historike iu dorëzua drejtuesit të saj. Pas dy vitesh që iu nënshtrua restaurimit, nën prezencën e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Ambasadorit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato dhe përfaqësueses së Unopsit, Fraya Von Groote, u ri-inaugurua godina e cila u dëmtua nga koha dhe tërmeti.

Ministri i Ekonomisë së Kulturës, Blendi Gonxhja, e quajti të rëndësishëm këtë investim që u rihap në një kohë po aq të rëndësishme ku turistët kanë “rrethuar” Krujën.

Restauratori Piro Thomo e quan të rëndësishëm këtë investim, i cili ruan dhe trashëgon historinë shqiptare. Këtë moment e mirëpritën edhe banorët e lagjes Kala që janë rritur në çardakët e kësaj shtëpie.

Muzeu Etnografik i Krujës është ndërtesë dy katëshe, e ndërtuar më 1764. Është monument kulture i kategorisë së parë, unik në llojin e tij dhe ruan dhjetëra objekte origjinale, druri, hekuri, guri të vjetra që shkojnë deri në 500-vjeçare. 850.000 Euro, kjo ishte vlera e projektit që u financua nga BE, ndërsa projekti u ekzekutua në terren nga UNOPS.

Tv Klan