Shumica e të kthyerve të dënuar për drogë e grabitje

Të dënuar për krime të ndryshme apo pa dokumentacionin përkatës për të qëndruar. Është ky profili i 72 shqiptarëve të deportuar në 24 orët e fundit nga vende si Anglia apo Franca.

Nga Anglia janë riatdhesuar 24 shqiptarë, 21 prej të cilëve të dënuar në territorin britanik për vepra të ndryshme penale si trafiku i narkotikëve apo grabitjet e dhunshme me armë. Ndërsa 3 të tjerë janë kapur nga autoritetet britanike teksa qëndronin në këtë shtet pa leje qëndrimi.

Ndërsa nga Franca, janë deportuar 48 shqiptarë, një pjesë e të cilëve ashtu si në Angli kanë pasur probleme me drejtësinë pasi janë dënuar për krime në fushën e trafikut të drogës apo ato ndaj personit. Statusi ‘Deportiv’ një pjese prej të riatdhesuarve nga Franca i është vënë shqiptarëve që qëndronin atje në mënyrë të parregullt. Ndalimi i disa prej tyre është bërë në tentativë për të shkuar drejt Anglisë.

Kjo e fundit është një nga shtetet ku më së shumti tentojnë të qëndrojnë ilegalisht shqiptarët, jo në pak raste të implikohen dhe veprimtari të jashtëligjshme. Nisur nga numri i lartë i tyre në vitin që lamë pas mes autoriteteve shqiptare dhe atyre britanike u nënshkrua marrëveshje ekstradimi.

Tv Klan