9 Shtatori shënon nisjen e vitit të ri shkollor 2024-2025 për rreth 350 mijë nxënës në të gjithë vendin, prej të cilëve 28 mije vogëlushe do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Sipas Ministres së Arsimit, Ogerta Manastriliu ky vit sjell risi dhe investime të rëndësishme në arsim, e veçanërisht për 31 mijë mësues që nisin vitin shkollor me paga të rritura deri në 950 euro në muaj. Nga ana tjetër më shumë se 238 mijë nxënës të arsimit bazë dhe atij të mesëm përfitojnë tekstet shkollore falas, me financim nga buxheti i shtetit.

Një vëmendje e madhe këtë vit të ri shkollor i kushtohet nxënësve me nevoja të veçanta për të cilët do të ketë 2,100 mësues ndihmës, 200 më shumë se në vitin 2023.

Po ashtu 240 oficerë sigurie do të jenë të dedikuar për sigurinë e nxënësve në shkolla, rreth 40 më shumë se në vitin 2023.

Gjithashtu në ditën e parë të shkollës do të hyjë në fuqi edhe udhëzimi i Bashkisë Tiranë, që përcakton se mjetet e furnizimit të dyqaneve dhe marketeve nuk mund të qarkullojnë nga ora 7:00 deri në orën 9:00.

Njëkohësisht për mbarëvajtjen e procesit mësimor janë marrë të gjitha masat nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake për disiplinimin e trafikut, veçanërisht pranë shkollave kudo në vend.

Klan News