Mediat greke kanë rindërtuar në 3D dinamikën e ekzekutimit të shqiptarit Roan Brahimi, mbrëmjen e së enjtes në lagjen në periferi të Athinës. Siç duket edhe nga pamjet, autorët kanë qenë dy persona që lëviznin me një motor dhe që i janë afruar makinës ku ndodhej 32-vjeçari shqiptar. Njëri prej tyre ka zbritur duke qëlluar 3 herë në drejtim të Brahimit që qëndronte në vendin e shoferit duke e lënë të vdekur në sy të bashkëshortes dhe djalit të mitur që po luante në parkun aty pranë.

Mediat greke kanë zbuluar se autorët e kanë pritur viktimën në vendin e ngjarjes duke ditur që djali i tij po luante në park, madje kanë ruajtur edhe një vend parkimi për të me anë të një motori që e kanë lëvizur sapo 32-vjeçari shqiptar është afruar. Pista e hetimit për policinë greke është ajo e hakmarrjes. Viktima është një emër i njohur edhe për autoritetet shqiptare.

Ai njihej edhe me emrin Sidorel Prendi dhe ka qenë një personazh i lakuar në disa ngjarje të rënda kriminale në qarkun e Lezhës, por jo vetëm. 3 vite më parë u shpall në kërkim nga policia pasi dyshohej se së bashku me 2 persona të tjerë mësynë të armatosur në ambientet e një lokali në Lezhë.

Tv Klan