Botimi në anglisht i antologjisë së poezisë shqipe është vlerësuar si një ngjarje e rëndësishme në historinë e letërsisë shqipe.

Kjo antologji përfshin tërë poezinë shqiptare, që prej fillimeve e deri më sot, me 277 poezi të zgjedhura të 48 poetëve dhe është bërë nga albanologu Robert Elsie. Me këtë rast Ministria e Kulturës organizoi promovimin e kësaj përmbledhjeje.

Ylli Pango: “Ndonëse antologjia e poezisë shqipe u bë tashmë, më saktë mbaj mend rreth dy muaj që është botuar në Teto, them se nuk jemi vonë që të nderojmë mikun tonë, Robert Elsie, me këtë aktivitet të organizuar nga ministria jonë dhe që duhet ta bëjmë për shumë miq të tjerë të kulturës shqiptare”.

Ndërsa albanologu i njohur,Elsie, e cilësoi antologjinë të një cilësie të lartë letrare.

Robert Elsie: “Gjithmonë kam patur ëndërr të botoj një antologji të plotë të poezisë shqiptare anglisht dhe më në fund pas shumë peripecive ajo doli në Shtetet e Bashkuara edhe për fatin tonë prej një botuesi prestigjioz, North Western University Press”.

Robert Elsie është autor i një sërë librash dhe artikujsh, veçanërisht mbi aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare dhe asaj të huaj.

Në vitin 2004 ai laureohet nga Ministria e Kulturës me çmimin “Penda e Argjendtë” për kontributin e dhënë në botimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në botë./tvklan.al