Roberta Metsola rizgjidhet në krye të Parlamentit Europian me një shumicë që asnjë drejtues i këtij institucioni nuk e ka arritur më parë.

Eurodeputetja malteze e Partisë Popullore Europiane u mbështet nga 562 kolegë të saj, duke marrë 161 vota më shumë se numri i përgjithshëm i përfaqësuesve të koalcionit të shumicës, ku bën pjesë Partia Popullore Europiane, Socialistët dhe Demokratët si dhe liberalët.

Me shumicën në mbështetje të Metsolës i bashkuan votat edhe 2 partitë euroskeptike të koalicionit qeverisës në Itali, ata të Kryeministres Meloni pjesë e grupit të euroskeptikëve të moderuar dhe Lega Nord e Mateo Salvinit, që është pjesë e Patriotëve Nacionalistë Europianë, të cilët shkuan përkundër vendimeve të grupeve të tyre në Parlamentin Europian. Pro Metsolës votuan edhe të gjelbërit.

Metsola kishte përballë vetëm një kandidate të majtë që mori 61 vota.

Votimi ishte për vazhdimin e mandatit të saj të parë që i nisi më 18 Janar 2022, pasi ndërroi jetë në mesin e mandatit të tij David Sassoli.

Tashmë, Metsolës i mbeten edhe dy vite e gjysmë të tjerë në këtë post. Këtë javë Parlamenti Europian pritet të votojë edhe përbërjen e Komisionit të ri Europian, me në krye sërish Ursula von der Leyen.

Tv Klan