Objektiv është kuota e 1000 golave dhe realizimi afrohet akoma dhe më shumë. Cristiano Ronaldo shënoi sërish, për tu ngjitur në kuotën e 901 realizimeve mes klubeve dhe kombëtares, për të thelluar akoma dhe më shumë këtë rekord. I radhës u shënua në portën e Skocisë, që i vlejti Portugalisë për të marrë fitoren e dytë në grupin e Ligës së Kombeve, por edhe për Ronaldon.

I hedhur në fushë nga stoli në fillimin e pjesës së dytë, 39-vjeçari ishte kërcënimi kryesor për skocezët që u bënë kombëtarja e 48 që pëson gol nga Cristiano Ronaldo.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë u gjend në kohën dhe momentin e duhur për të devijuar topin e hedhur në zonë nga e majta e sulmit. Tashmë rruga e tij drejt objektivit historik të 1000 golave në karrierë është një hendek që mund të ngushtohet.

Edhe Luka Modriç sfidon moshën. Ish-shoku i skuadrës së Ronaldos te Real Madrid shënoi golin e fitores që Kroacia regjistroi kundër Polonisë. Modriç ekzekutoi saktë goditjen e dënimit për t’i dhënë 3 pikët ballkanasve me një fitore 1-0. Mesfushori realizoi në ndeshjen e 180, për t’u bërë edhe lojtari i dytë europian pas Ronaldos, i cili ka 214 ndeshje në renditjen për më shumë paraqitje me kombëtaren. Portugalia kryeson grupin A1 me 6 pikë të plota, ndjekur nga Kroacia me Poloninë me 3 pikë.

Klan News