Kjo verë, ashtu si vetë temperaturat ka rezultuar mjaft e nxehtë edhe për situatën me zjarret në vend. Autoritetet thonë se janë përballur me rreth 500 vatra zjarri nga veriu në jug.

Në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile thonë se numrin më të lartë të zjarreve të raportuara e ka prefektura e Vlorës me 93 zjarre, e ndjekur nga Shkodra me 87 zjarre, Fieri me 66 dhe Gjirokastra me 46.

Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në mjedis pasi të dhënat paraprake tregojnë se është djegur dhe përshkruar nga flakët rreth 20 mijë hetarë tokë.

Leonard Qyra, Drejtoria e Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente, AKMC: Duke e krahasuar me vitin 2023, sigurisht ka pasur një shtim të vatrave të zjarrit, kjo edhe si pasojë e temperaturave të larta që kanë prekur Shqipërinë. Kryesisht vatrat kanë qenë në zona me shkurre ose kullota.

Temperaturat e larta vetëm kanë favorizuar përhapjen e flakëve në vend, pasi zjarrvëniet e qëllimshme dhe ato nga pakujdesia janë shkaku kryesor i rënie së tyre.

Leonard Qyra: Zjarret janë të shkaktuara nga dora e njeriut, qofshin këto të qëllimshme apo pakujdesia, zakonisht në kullota dhe shkurre zjarret shkaktohen nga barinjtë.

Nga ndezja e zjarreve të tilla, fatkeqësisht këtë vit ka pasur edhe dy humbje jete.

Leonard Qyra: Në Burrel dhe Fier, dy banorë kanë djegur kultura bujqësore dhe si pasojë janë asfiksuar.

Në 24 orët e fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, nga të cilat 7 janë ende aktive.

Tv Klan