Rritet çmimi i energjisë me afro 10% për konsumatorët familjarë si dhe ulet tavani i konsumit në 220 kilovat. Vendimi është marrë në ditët e fundit të viti nga Enti Rregullator i Energjisë, pas propozimit të KESH-it, sipas pretendimeve se energjia shitet nën kosto. Ekspertët janë shprehur se KESH-i, në përllogaritjen e kostos, kanë përfshirë dhe humbjet në rrjet, arkëtimet e ulta, si dhe investimet afatgjata, gjë që rëndojnë koston në mënyrë të panevojshme. Ky është viti i dytë që çmimi i energjisë elektrike pëson rritje, por strategjia e energjisë parashikon një rritje graduale të përvitshme deri në 2015-n. Enti Rregullator ka rritur me afro 10% çmimin e energjisë për 220 kilovatët e parë të konsumuar, ndërsa mbi këtë konsum tavan, çmimi rritet vetëm me 1% . Rritje çmimi ka pësuar energjia edhe për ujësjellësat me 30%, për privatët e favorizuar më 20%, ndërkohë që, për sektorin privat në përgjithësi, çmimi i energjisë nuk ka pësuar rritje. Akademikët dhe Avokati i Popullit sugjeruan që çmimi i energjisë të mos pësonte rritje për konsumatorët, por vetëm për sektorin privat. Përllogaritjet e akademikëve konkluduan se sipas këtij plani fitimet e KESH-it do të arrinin në 2,2 miliardë lek. Enti Rregullator i Energjisë është akuzuar dhe nga Zyra e Mbrojtjes së Qytetarëve se është një insitucion i paligjshëm pasi, sipas ligjit të ri, duhet të ishte rikompozuar.
Kreshink Spahiu:“ Nëse Enti Rregullator vendosi të shpërfillë opinionin publik, të injorojë oponencën shkencore, në të njëjtën kohë, nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë ligjore. Dispozitat e Kodit Penal ngarkojnë anëtarët e këtij enti me përgjegjësi penale pasi, ata kanë ushtruar një funksion pas mandatit, i cili ka përfunduar më 1 shtator të vitit 2003.”
Qeveria pritet të marrë, gjatë këtyre ditëve, vendimin për rritjen e çmimit të energjisë, ndërkohë që fatura e re ka hyrë në fuqi që më 1 janar. Kjo rritje çmimi pritet të reflektohet në rritjen e inflacionit./tvklan.al