Edhe pse Shqipëria shënoi verën e kaluar një numër rekord të turistëve të huaj, imazhi i vendit si një prej destinacioneve me të rëndësishme turistike në rajonin e Mesdheut vihet në pikëpyetje për shkak të zvarritjeve të pakuptimta në përmirësimin e infrastrukturës. Miliona euro të shpenzuara për reklama në stacionet më prestigjioze të botës dhe që i ftojnë turistët e huaj të vizitojnë Shqipërinë nëpërkëmben nga burokracitë e administratës lokale.

Shembull tipik i këtij abuzimi është rruga që të çon në plazhin e Golemit, trajtuar gjerësisht në kronikat e televizionit Klan kjo ka qenë gjendja e saj rreth 8 muaj më parë.

“Me thënë të drejtën unë makinën time ta kem unë nuk hyj këtej, gjithë këto vila kaq të bukura, mos të rregullojnë një rrugë.”

“Duket vetë kjo nuk ka nevojë të shpjegoj unë.”

Sot rruga është në gjendje edhe më të keqe për shkak të pellgjeve të ujit që janë krijuar në të gjithë gjatësinë e saj. Projekti për rikonstruksionin e kësaj rruge është i hershëm dhe sipas premtimit bërë një it më parë nga drejtuesit e komunës rikonstruksioni i saj do të përfundonte brenda një periudhe 3 mujore.

Astrit Berati: “Masterplani ka ardhur pranë nesh, po i bëjmë vërejtjet për t’u rishikuar dhe mbas kësaj ne do të fillojmë menjëherë nga puna sepse është një rrugë shumë kryesore dhe lidh zonën e litarëve turistike të Golemit.”

Por kur na ndajnë edhe pak muaj nga sezon i ardhshëm turistik ambiciet e komunës nuk parashikojnë përfundimin e saj para muajit shtator.

Astrit Berati: “Rrugën në fjalë ka përfunduar tenderimi është përcaktuar firma fituese e cila është Agbe Construction, e cila ka dhënë një vlerë oferte prej 51 milion lekësh dhe i ka kaluar APPS-së për të bërë shpalljen e fituesit.”

Gazetarja: “Mendoni që kjo rrugë mund të përfundojë para sezonit turistik?”

Astrit Berati:Mendoj që nuk do të përfundojë para sezonit turistik.”

Zgjedhja që komuna ka menduar t’i japë përmirësimit të infrastrukturës për sezonin e ardhshëm turistik është mbushja e gropave të rrugës me çakull, kjo strategji jo vetëm që bie ndesh me aksionin e qeverisë për ndërtimin sa më të shpejtë të rrugëve, por edhe më përpjekjen për të arritur standardet e fqinjëve në modernizimin e infrastrukturës turistike. Mjafton të përmendim që 35 km të superstradës Plepa-Rrogozhinë do të përfundojë në muajin qershor ndërsa për 1.7km në plazhin e Golemit nuk mjaftojnë as 6 muaj kohë./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi